Trupi Gjykues në rastin e Gjykatës Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, të mbështetur edhe nga mbrojtja e Selimit, për të ndaluar dorëzimin e materialeve të reja nga Prokuroria pas mbylljes së çështjes më 18 shkurt 2026.
Sipas vendimit të trupit gjykues, materialet që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka dorëzuar më 4 dhe 10 mars 2026 nuk përbëjnë prova të reja në proces. Konkretisht, më 4 mars janë dorëzuar katër materiale, ndërsa më 10 mars edhe një tjetër.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari Charles Smith thekson se këto dorëzime nuk përbëjnë paraqitje provash për shqyrtim nga paneli, por janë njoftime për palët dhe pjesëmarrësit në proces. Ai shton se zbulimi i provave nuk është bërë për qëllime të pranueshmërisë, por si pjesë e detyrimeve procedurale.
Gjykata gjithashtu ka hedhur poshtë argumentin e mbrojtjes se, pas mbylljes së rastit, paneli nuk ka më interes legjitim për të mbikëqyrur procesin e zbulimit të provave.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçi i ka cilësuar këto materiale si të padrejta dhe të papranueshme, duke argumentuar se dorëzimi i njëanshëm nga Prokuroria në këtë fazë cenon të drejtën për një proces të rregullt dhe kundërshtues. Sipas avokatit mbrojtës, Luka Misetiq, përfshirja e materialeve që konsiderohen inkriminuese në procese të tjera dëmton pozicionin e të akuzuarit.




