Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me rritjen e çmimeve, ka përshkruar situatën ekonomike si alarmante dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale.
Bajrami theksoi se Kosova ka importuar 6 miliardë euro më shumë sesa ka eksportuar gjatë vitit 2025, duke e cilësuar deficitin tregtar si më të lartin në historinë e pasluftës. Ajo shtoi se çmimet e naftës nuk vendosen nga institucionet vendore, por përcaktohen në bursat ndërkombëtare dhe vendet e prodhimit.
Deputetja kritikoi qeverinë për mënyrën se si menaxhon akcizën, TVSh-në dhe marzhet e naftës, duke argumentuar se masat e marra nuk ndikojnë në uljen e çmimeve për qytetarët. Sipas Bajramit, disa pika karburanti madje kanë ndryshuar çmimet në momentin që ministrja iu drejtohej qytetarëve, duke e quajtur këtë “mashtrim ndaj publikut”.
Ajo gjithashtu theksoi se vetëm për importin e naftës, Kosova ka shpenzuar rreth 60 milionë euro në janar dhe 57 milionë euro në shkurt, ndërsa shifrat e marsit nuk janë publikuar ende.




