Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka filluar mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtohen çështje procedurale dhe të përcaktohet rendi i ditës për seancën plenare të ardhshme.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin nga mbledhja e mëparshme. Pika kryesore e rendit të ditës është diskutimi i propozimit për rendin e ditës së seancës plenare, që përfshin pika të rëndësishme legjislative dhe politike.
Seanca plenare pritet të nisë me miratimin e procesverbalit të mëparshëm, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit dhe pyetjet parlamentare. Deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë, përfshirë ato me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe KfW, lidhur me sektorin financiar, energjinë, klimën dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.
Në rend dite është edhe votimi i një propozim-rezolute lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik. Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë zgjedhjen e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe një propozim-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës 1998–1999.
Në përfundim, do të diskutohet propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për emërimin e deputetes Duda Balje në komisione parlamentare.




