Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi në Kuvend ndaj akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të naftës, duke theksuar se kjo është një çështje e lidhur me zhvillimet ndërkombëtare dhe jo me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare.
Ai u shpreh se nafta është një mall burse dhe çmimi i saj përcaktohet nga tregjet ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria furnizohet nga kompani të mëdha globale që operojnë mbi bazën e bursës.
Balla pohoi se Bordi i Transparencës ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e çmimeve, duke përmendur edhe përdorimin e këtij mekanizmi gjatë krizës së mëparshme pas luftës në Ukrainë.
Sa i përket debatit politik, ai akuzoi opozitën se po përdor çështjen për retorikë ditore, duke shtuar se projektligjet e propozuara nga opozita do të diskutohen në Kuvend sipas kalendarit të miratuar me konsensus, konkretisht më 30 prill.




