Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për shkelje të obligimeve ndërkombëtare, duke theksuar se ajo vazhdon të mohojë krimet dhe të mos zbardhë fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Këto deklarata ai i bëri pas homazheve në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit, në përkujtim të masakrës së 19 prillit 1999, kur u vranë 20 civilë të pafajshëm, të cilët më pas u varrosën në një varrezë masive.
Kurti kujtoi gjithashtu edhe rrëmbimin dhe zhdukjen e 23 intelektualëve nga Mitrovica në zonën e Zubin Potokut, duke theksuar se drejtësia për këto krime ende mungon.
Ai u shpreh se kujtesa për viktimat duhet të ruhet vazhdimisht dhe se institucionet do të vazhdojnë përpjekjet për drejtësi, duke nënvizuar se sakrifica për liri mbetet udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës.




