Policia e Kosovës, përmes Policisë Kufitare në Drejtorinë Rajonale Kufitare Jugu, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rasti është zbuluar gjatë realizimit të planit operativ “Mburoja e hekurt”, në zonën malore mes fshatit Radush dhe rrugës që lidh fshatin Goranc me Hanin e Elezit.
Gjatë patrullimit, njësitet policore kanë identifikuar një automjet që po lëvizte në rrugë ilegale nga territori i Maqedonisë së Veriut drejt Kosovës.
Dy personat në automjet kanë tentuar të largohen, por policia ka arritur ta ndalojë mjetin dhe ka arrestuar një të dyshuar, shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përkatës, me vlerë të konsiderueshme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti janë konfiskuar si prova materiale.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të kundërligjshme në kufi.





