Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur alarmin për ndotjen e ajrit në vend, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha mjedisore, shëndetësore dhe klimatike, si dhe një emergjencë globale të shëndetit publik.
Sipas njoftimit të institutit, termoelektranat e Kosovës A dhe B, të cilat funksionojnë me thëngjill, lirojnë në atmosferë substanca të dëmshme si ozoni (O₃), oksidet e azotit (NOx), dioksidi i squfurit (SO₂) si dhe grimca të imta PM10 dhe PM2.5.
Raportet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë tregojnë se sektori i energjetikës kontribuon rreth 40% të emetimeve ndotëse të ajrit. Sipas tyre, lirimi i tymit dhe pluhurit rrit përqendrimin e grimcave të dëmshme në ajër për periudha të zgjatura kohore.
Ekspertët e IKSHPK-së paralajmërojnë se, në mungesë të masave urgjente, ndotja e ajrit mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin publik, përfshirë rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe rritje të vdekshmërisë nga shkaqe të ndryshme.




