Dy dronë kanë hyrë në territorin e Letonisë, shtet anëtar i NATO-s, nga Rusia dhe më pas janë rrëzuar, ka bërë të ditur ushtria letoneze të enjten në mëngjes.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes së Letonisë, Andris Spruds, dronët dyshohet se mund të jenë nisur nga Ukraina me objektiva në territorin rus, por kanë përfunduar në hapësirën ajrore letoneze.
Si pasojë e incidentit, katër rezervuarë të zbrazët nafte janë dëmtuar në një objekt magazinimi në qytetin Rezekne, rreth 40 kilometra nga kufiri me Rusinë. Autoritetet kanë njoftuar se janë gjetur edhe mbetje të mundshme të një droni të rrëzuar në vendngjarje.
Zjarrfikësit kanë intervenuar duke shuar një zjarr të vogël në njërin prej rezervuarëve, ndërsa autoritetet letoneze kishin lëshuar më herët alarme për dronë dhe u kishin kërkuar banorëve të zonës kufitare të qëndronin brenda shtëpive.




