Profesori Lulzim Zeneli i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.
Lajmin e ka bërë të ditur kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se Zeneli rikthehet në politikë pas një periudhe të gjatë angazhimi akademik dhe profesional.
Sipas Osmanit, Prof. Dr. Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, stabilitet dhe përfshirje të ekspertizës në politikëbërje.
Ajo ka vlerësuar përvojën e tij si bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova dhe Akademik Nexhat Dacit, ish-deputet për tri mandate dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë.
Në postim theksohet se rikthimi i Zenelit synon forcimin e institucioneve dhe vazhdimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.




