Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Hafiz Gagicës, duke e cilësuar si një humbje të madhe dhe lajm të hidhur për Kosovën.
Kurti ka vlerësuar kontributin e Gagicës në organizimin e mërgatës shqiptare në Gjermani gjatë viteve ’90-ta, duke theksuar se ai ishte një veprimtar i palodhur për forcimin e Republikës së Kosovës në kohën e okupimit.
Sipas Kurtit, Hafiz Gagica ishte bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Rugova, si dhe mik i veprimtarëve të njohur si Jusuf Gërvalla dhe Sali Çekaj.
Ai ka kujtuar edhe organizimin e tubimit të madh në Bonn në vitin 1998, ku mbi 100 mijë shqiptarë kërkuan liri për Kosovën. Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.




