Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pas shkëmbimit të sulmeve gjatë natës në rajonin e Gjirit Persik.
Sipas raportimeve, forcat amerikane kanë goditur objektiva pranë Bandar Abbas, nga ku dyshohet se janë lëshuar dronë që kanë kërcënuar zona në ngushticën e Hormuzit. Autoritetet iraniane kanë konfirmuar sulme në aeroportin e zonës, por kanë deklaruar se nuk ka pasur viktima apo dëme të mëdha.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë shkatërruar disa lansues të mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka goditur një bazë amerikane si kundërpërgjigje.
Ndërkohë, Kuvajti ka raportuar se mbrojtja e tij ajrore ka neutralizuar disa dronë që hynë në hapësirën e tij ajrore, pa sqaruar origjinën e tyre.
Situata vjen në një periudhë tensionesh të larta mes dy vendeve, teksa përpjekjet për një marrëveshje të qëndrueshme mbeten të bllokuara.




