Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka sqaruar dispozitat e Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, pas debatit të ngritur ditëve të fundit rreth nenit 31 të këtij ligji.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se kjo dispozitë nuk është e re dhe nuk është futur nga qeveria aktuale, por bazohet në nenin 155 të Kushtetutës së Kosovës, i cili rrjedh nga Pakoja e Ahtisaarit.
Sipas tij, e drejta e paraparë në këtë nen është pjesë e rendit kushtetues të Kosovës që nga viti 2008 dhe është bërë pjesë e përhershme e Kushtetutës përmes ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012.
Sveçla theksoi se interpretimet që e paraqesin këtë dispozitë si risi të Ligjit për Shtetësinë nuk qëndrojnë, duke shtuar se ajo ka ekzistuar në bazën kushtetuese të shtetit që nga themelimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.




