Anëtari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me politikat tregtare dhe energjetike të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Haradinaj rikujtoi vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia në vitin 2018, duke theksuar se ajo u hoq në vitin 2020 nga Qeveria Kurti.
Ai përmendi gjithashtu projektin energjetik me kompaninë ContourGlobal, i cili sipas tij do ta bënte Kosovën më të pavarur në sektorin e energjisë, duke akuzuar Kurtin se e anuloi atë dhe refuzoi edhe projektin amerikan të gazit.
Haradinaj tha se, sipas raportimeve mediatike, dhjetëra kamionë me mallra nga Serbia po presin të hyjnë në Kosovë, ndërsa vendi vazhdon të importojë energji elektrike me kosto të lartë.
Në fund, ai ngriti pikëpyetje për qëndrimet e Kurtit ndaj projekteve energjetike dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e akuzuar se po i hap rrugë varësisë ekonomike dhe energjetike nga Serbia.




