Deputetja e rizgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës kërkon bashkëpunim dhe konsensus ndërmjet partive politike.
Ajo tha se LVV edhe në proceset e mëparshme të formimit të institucioneve ka ndërmarrë hapa konkretë dhe se edhe kësaj radhe priten diskutime me subjektet politike për zhvillimet e mëtejme.
Fejza u shpreh se opozita duhet të luajë rol konstruktiv dhe të respektojë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, duke shtuar se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
Sipas saj, në ditët në vijim priten takime dhe bisedime konkrete për funksionalizimin e institucioneve dhe hapat politikë në vend.




