Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar një aktivitet me kompanitë raportuese për prezantimin dhe lansimin e platformës së re DCSES (Data Collection and Statistics Exchange System), e cila do të shërbejë për mbledhjen elektronike të statistikave të investimeve të huaja direkte.
Në hapje të aktivitetit, zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, falënderoi kompanitë për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në procesin e raportimit statistikor, duke theksuar rëndësinë e saktësisë së të dhënave për cilësinë e statistikave zyrtare.
Ai tha se statistikat makroekonomike, veçanërisht ato të sektorit të jashtëm si Bilanci i Pagesave dhe Investimet e Huaja Direkte, janë thelbësore për analizën ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.
Sipas BQK-së, platforma DCSES përfaqëson një hap drejt modernizimit të sistemit statistikor, duke mundësuar raportim më efikas, ulje të barrës administrative dhe rritje të saktësisë së të dhënave.
Platforma është zhvilluar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm procesin e raportimit dhe komunikimin ndërmjet kompanive dhe BQK-së.




