Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj përpjekjeve të Qeverisë për të pezulluar dy akte normative të miratuara nga organet e saj, duke i cilësuar këto veprime si ndërhyrje në autonominë dhe vetëqeverisjen e profesionit të avokatit.
Sipas OAK-së, rregulloret në fjalë janë miratuar në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe kompetencat që i garantohen me ligj, ndërsa çdo tentativë për pezullimin e tyre cenon pavarësinë institucionale të Odës.
Në reagim thuhet se Oda nuk është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe se ndërhyrje të tilla mund të krijojnë precedent të rrezikshëm për institucionet e pavarura.
OAK i ka bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga këto iniciativa, duke paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur autonominë dhe integritetin e saj institucional.




