Anëtari i Kryesisë së Degës së LDK-së në Lipjan, Armend Grajqevci, ka reaguar lidhur me diskutimet e fundit brenda partisë pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka sqaruar se kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka ardhur nga Kryesia e Degës apo kryetarët e nëndegëve, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes strukturave të partisë.
Sipas Grajqevcit, në mbledhjen e Kryesisë së Degës dhe të kryetarëve të nëndegëve është diskutuar rezultati zgjedhor, ndërsa është vlerësuar unanimisht se nevojitet reflektim në të gjitha nivelet organizative të LDK-së.
Ai kujtoi se kryetari i Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, ka marrë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025 duke dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe duke refuzuar të jetë pjesë e Kryesisë Qendrore. Po ashtu, sipas tij, Ahmeti ka ofruar edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të Degës, por kjo është refuzuar unanimisht nga të pranishmit.
Grajqevci theksoi se LDK-ja duhet të respektojë fjalën e aktivistëve dhe votuesve të saj tradicionalë, duke e cilësuar partinë si “shtëpi të vjetër të demokracisë”.




