Ministria e Arsimit do të hapë së shpejti afatin për aplikim për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit në Kosovë.
Ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, ka konfirmuar se edhe këtë vit do të zbatohet e njëjta formë e furnizimit me libra, ku mjetet financiare do t’u transferohen prindërve përmes xhirollogarive bankare.
Para hapjes së aplikimit, drejtoritë komunale të arsimit kanë kërkuar nga ministria publikimin e listës së teksteve shkollore, kërkesë që sipas Çekut do të realizohet të premten.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se më 25 qershor është hapur edhe mundësia e aplikimit për dokumentacionin shkollor, një vendim që është mirëpritur nga drejtorët komunalë të arsimit.
Vitin e kaluar, aplikimi për subvencionimin e teksteve është bërë përmes platformës e-Kosova, ku familjet përfituan 80 euro për nxënësit e klasave 1-5 dhe 110 euro për nxënësit e klasave 6-9.




