Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si konfirmim të së drejtës së tij.
Pacolli u bëri thirrje qytetarëve dhe opinionit publik ta lexojnë vendimin, duke thënë se ai përshkruan një “situatë të rëndë juridike” dhe padrejtësitë që, sipas tij, ai, familja dhe kompania e tij kanë përjetuar gjatë më shumë se një viti.
Ai pretendon se është përballur me kërcënime, bllokime të punës, dëmtime materiale dhe pengesa të vazhdueshme në realizimin e projektit, ndërsa shprehu pritjen që çështja të hetohet edhe nga SPAK-u.
“Jam i lumtur që instanca më e lartë e drejtësisë në vend ka konfirmuar të drejtën time. Ky vendim më ka rikthyer besimin, forcën dhe moralin për të vazhduar betejën time”, ka deklaruar Pacolli.




