Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se vendi po rrezikon të futet sërish në një krizë institucionale që, sipas tij, nuk i shërben as qytetarëve dhe as zhvillimit strategjik të shtetit.
Në një konferencë për media, Gjini tha se Aleanca është e gatshme të kontribuojë në procesin e formimit të institucioneve, por theksoi se partia e tij nuk synon pjesëmarrje në qeveri dhe ka disa kërkesa programore.
“Fatkeqësisht po krijohet ndjenja se Kosova rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione. Situata nuk i shkon në favor as qytetarëve e as zhvillimit të shtetit,” tha Gjini.
Ai shtoi se një nga kërkesat kryesore të AAK-së është pranimi i projektit për gazin e lëngshëm amerikan, të cilin e cilësoi si orientim strategjik për vendin.
Sipas tij, institucionet e reja duhet të nisin edhe ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, si dhe të rishikohet politika fiskale, përfshirë ngritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro.
Gjini gjithashtu propozoi që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, me qëllim lehtësimin e bujqve dhe zhvillimin ekonomik./EO/




