Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar rregullimin ligjor të lobimit në Kosovë, me qëllim rritjen e transparencës në proceset vendimmarrëse.
Në një tryezë diskutimi me temë “Momentumi i ri politik për rregullimin e lobimit legjislativ në Kosovë”, përfaqësues të institucioneve, deputetë dhe ekspertë diskutuan nevojën për një kornizë ligjore që rregullon këtë fushë.
Sipas KDI-së, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa ligj për lobimin, gjë që krijon mungesë transparence dhe hapësirë për ndikime të pakontrolluara në vendimmarrje.
Pjesëmarrësit në debat theksuan se lobimi është një formë legjitime e pjesëmarrjes në politikë, por që duhet të rregullohet me ligj për të shmangur keqpërdorimet dhe për të siguruar llogaridhënie më të madhe në institucionet publike.




