Tre të rinj kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën shtetërore SS89, mes Foggias dhe Manfredonias në Itali.
Sipas mediave italiane, aksidenti është regjistruar rreth orës 04:30–05:00, kur një veturë tip “Opel Corsa”, me të cilën po udhëtonin tre të rinj, ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta.
Dyshohet se drejtuesi i mjetit, 26-vjeçari Luigi Narciso, ka humbur kontrollin mbi veturën, e cila më pas është përplasur me një skarpatë anësore dhe është rrokullisur disa herë. Një nga pistat kryesore të hetimit është se shoferi mund të jetë zënë nga gjumi gjatë drejtimit.
Për shkak të forcës së goditjes, automjeti është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit, ekipet e emergjencës dhe policia, pas njoftimeve nga drejtues të tjerë që kalonin në atë segment rrugor.
Si pasojë e aksidentit, përveç shoferit, jetën e kanë humbur edhe dy pasagjerë, një djalë dhe një vajzë nga Manfredonia, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë publik.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e saktë të aksidentit fatal.




