Mbi 35 mijë persona në Kosovë konsiderohen përdorues aktivë të substancave narkotike, ndërsa shqetësuese mbetet edhe përfshirja e të rinjve nën moshën 16-vjeçare.
Një hulumtim i transmetuar nga RTK tregon se qasja në drogë është shumë e lehtë, duke theksuar se një i ri mund të kontaktojë shitës të narkotikëve brenda pak minutash kërkimi.
Megjithëse numri i përdoruesve është i lartë, Kosova ende nuk ka qendër rehabilitimi për personat me varësi nga droga, pavarësisht se një e tillë është paraparë në strategjitë kombëtare që nga viti 2009.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se janë në diskutime për krijimin e një qendre të tillë dhe shprehu optimizëm për realizimin e saj në të ardhmen e afërt.
Organizatat që merren me trajtimin e varësisë theksojnë se situata është përkeqësuar, duke u rritur përdorimi i substancave si kokaina dhe duke u zgjeruar grupmosha e përdoruesve.
Ndërkohë, Policia e Kosovës raporton raste të vazhdueshme të kultivimit të kanabisit në disa zona të vendit, përfshirë Pejën dhe Podujevën.
Sipas organizatës “Labyrinth”, Kosova ka shënuar rritje më të madhe të përdorimit të drogës krahasuar me disa vende të rajonit, duke e bërë këtë një nga sfidat kryesore të shëndetit publik dhe sigurisë.




