Qindra persona nga komuniteti serb në Kosovë janë nisur në mënyrë të organizuar në orët e para të mëngjesit drejt Serbisë.
Sipas raportimeve, nisjet janë bërë nga Mitrovica, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku dhe qytete të tjera të Kosovës.
Disa nga pjesëmarrësit që folën për media lokale kanë deklaruar se udhëtojnë drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thirrur një tubim masiv të mbështetësve të tij.
Ky tubim vjen si kundërpërgjigje ndaj protestave antiqeveritare të studentëve që po zgjasin prej rreth 20 muajsh në Serbi dhe pritet të zhvillohet në kushte të shtuara sigurie.
Autoritetet serbe ndërkohë kanë ndërmarrë masa të rrepta sigurie dhe, sipas raportimeve, janë shënuar edhe arrestime e marrje në pyetje të disa gazetarëve dhe analistëve në lidhje me deklarata për përdorim të forcës gjatë protestave të mëparshme.
Hetimet e autoriteteve pretendojnë se disa prej këtyre deklarimeve kanë qenë të pavërteta dhe pjesë e ndikimeve të jashtme, ndërsa situata politike në Serbi mbetet e tensionuar.




