Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, u ka bërë thirrje partive politike që të tregojnë unitet dhe gatishmëri për kompromis, duke vlerësuar se vonesat në formimin e institucioneve po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Westerlund tha se vështirësitë në krijimin e qeverive janë bërë një fenomen gjithnjë e më i zakonshëm në Evropë, por theksoi se Kosova, si shtet i ri, është më e ndjeshme ndaj këtyre sfidave.
Ai theksoi se kompromisi duhet të shihet si forcë dhe jo si dobësi, duke shtuar se zvarritja e procesit politik po pengon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Diplomati suedez tha se partnerët ndërkombëtarë po e ndjekin me shqetësim situatën politike në Kosovë, duke përmendur Brukselin dhe kryeqytetet evropiane, përfshirë Stokholmin.
Westerlund ritheksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe se krijimi i institucioneve funksionale është i domosdoshëm për avancimin e vendit drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.




