Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me procesin e rilicencimit të kompanisë EFT të biznesmenit serb Vuk Hamoviç, duke publikuar fotografi që, sipas saj, dëshmojnë se kompania është në proces licencimi.
Ymeri ka rikujtuar deklaratat e mëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte kritikuar praninë e EFT-së në tregun energjetik të Kosovës.
“EFT-ja duhet të marrë fund, thoshte Albin Kurti. Nuk mund t’i themi vetes shqiptarë derisa vazhdon të na dominojë EFT-ja e Hamoviçit”, ka shkruar Ymeri.
Sipas saj, jo vetëm që kompania nuk është larguar nga tregu, por ndikimi i saj vazhdon të jetë i pranishëm edhe në çështje që lidhen me investimet ndërkombëtare.
“Kush është tani lideri shqiptar këtu, kur kompania e Vuk Hamoviçit është në proces të rilicencimit? Jo që nuk mori fund, por edhe ndikimi i këtij grupi po i dikton përgjigjet ndaj investimeve ndërkombëtare”, ka deklaruar Ymeri.




