Protestuesit që prej javësh po mblidhen para Kryeministrisë kanë nisur përgatitjet për krijimin e një Kuvendi Qytetar, të cilin e shohin si një formë alternative përfaqësimi për qytetarët.
Aktivisti Ilir Xhemalaj tha se ky forum pritet të ketë rreth 500 deri në 600 anëtarë, të përzgjedhur nga grupimet që kanë marrë pjesë në protesta.
Sipas tij, Kuvendi do të jetë apolitik dhe nuk synon të shndërrohet në parti politike, por të shërbejë si platformë për hartimin e ideve dhe propozimeve për atë që protestuesit e quajnë “Shqipëria e Re”.
Xhemalaj theksoi se pjesë e kësaj nisme nuk do të jenë persona që kanë mbajtur poste të larta politike apo që janë të lidhur me afera korruptive, ndërsa vlerësoi se Kuvendi aktual nuk përfaqëson kërkesat e protestuesve.




