Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e një personi më 28 qershor në Ferizaj.
Sipas Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje dhe përleshjeje fizike në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”, e dyshuara dyshohet se ka marrë armën e zjarrit nga viktima dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Si prova janë përmendur arma e sekuestruar dhe deklaratat e dëshmitarëve. Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes, pasi e dyshuara jeton në Francë dhe në Kosovë ndodhej përkohësisht, si dhe mundësia e ndikimit te dëshmitarët.
Sipas kërkesës, masat alternative konsiderohen të pamjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të procedurës penale.
Shënim: E dyshuara konsiderohet e pafajshme derisa fajësia e saj të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.




