Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, të lidhura me dëbimin e qindra mijëra civilëve shqiptarë.
Gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se seanca nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së përfaqësimit të rregullt ligjor për të gjithë të akuzuarit dhe mosdorëzimit me kohë të aktakuzave tek avokatët mbrojtës. Për këtë arsye, seanca është shtyrë dhe është caktuar të mbahet më 15 shtator, në orën 09:00.
Prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli deklaroi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zhvillimin e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Megjithatë, problemet me caktimin dhe pjesëmarrjen e avokatëve të angazhuar nga Oda e Avokatëve bënë të pamundur mbajtjen e shqyrtimit fillestar.
Nga ana tjetër, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare theksoi se rastet e krimeve të luftës nuk duhet të vonohen më tej, duke kërkuar bashkëpunim më të madh mes gjykatës dhe Odës së Avokatëve për të siguruar pjesëmarrjen e mbrojtësve ligjorë.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën në mungesë më 15 gusht të vitit të kaluar ndaj 21 personave, kryesisht ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë serbë. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se gjatë periudhës janar–qershor 1999 kishin autoritet mbi forcat ushtarake dhe policore në terren, ishin në dijeni për veprimet e dhunshme ndaj civilëve shqiptarë dhe nuk ndërmorën masa për t’i parandaluar ato. Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.




