Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit, Zulfaj ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe rolin e mërgatës kosovare në forcimin e tyre.
Ai ka vlerësuar edhe rolin e Gjermanisë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në Procesin e Berlinit, duke diskutuar gjithashtu ecurinë e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.
Zulfaj ka theksuar rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane, me mbështetjen e Gjermanisë si faktor kyç në këtë proces.




