Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se protestat qytetare janë të rëndësishme si shprehje e shqetësimeve të qytetarëve, por sipas tij, në to përfshihen edhe individë që i cilësoi si “zemërakë dhe dështakë”.
Deklaratat Rama i bëri gjatë pjesëmarrjes në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, ku u diskutua për përmirësimin e shërbimeve publike dhe funksionimin e administratës në Shqipëri.
Ai theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë shërbime më të mira dhe trajtim më dinjitoz nga institucionet shtetërore, duke shtuar se pakënaqësitë shpesh lidhen me probleme konkrete në administratë dhe shërbime publike, përfshirë sistemin shëndetësor.
Rama u shpreh se transformimi i administratës është një proces i gjatë dhe kompleks, ndërsa theksoi se po vazhdojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit.




