Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të arrijë kapacitetet e plota operacionale në vitin 2029.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se procesi i transformimit të FSK-së po zhvillohet sipas planit 10-vjeçar të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018 dhe se ky proces po i afrohet fazës përfundimtare.
Sipas Maqedoncit, investimet e realizuara gjatë viteve të fundit kanë bërë që FSK-ja të tejkalojë një pjesë të objektivave të parapara fillimisht, veçanërisht në aspektin e pajisjeve dhe llojeve të armatimit.
Ai theksoi se synimi është që në vitin 2029 FSK-ja të jetë plotësisht e gatshme për mbrojtjen e territorit të Kosovës, mbështetjen e autoriteteve civile dhe pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare.




