Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se vonesat në krijimin e institucioneve të reja po kanë pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai vlerëson se mungesa e stabilitetit politik po ndikon negativisht në investimet e huaja, eksportet dhe mirëqenien e qytetarëve, ndërsa thekson se në Kosovë është krijuar bindja e gabuar se vendi mund të funksionojë edhe pa institucione të qëndrueshme.
Sipas Gërxhaliut, vendet e rajonit po konkurrojnë për zhvillim ekonomik, inovacion dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare, ndërsa Kosova po përballet me sfida të shumta që po e ngadalësojnë progresin ekonomik.
Ai ka përmendur rënien e investimeve të huaja, tkurrjen e eksporteve dhe mungesën e dialogut ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve si disa nga problemet kryesore, duke shtuar se inflacioni po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e qytetarëve.
Gërxhaliu u bëri thirrje partive politike që të vendosin interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik mbi interesat politike, duke theksuar se ekonomia duhet të depolitizohet dhe vendimmarrja të mbështetet në ekspertizë profesionale.
Ai theksoi gjithashtu se eksportet e Kosovës vazhdojnë të mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, duke e cilësuar këtë si një sinjal alarmi që kërkon veprim të shpejtë dhe bashkëpunim më të madh institucional.




