Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me Komitetet Lokale për Siguri Publike, zjarrfikësit dhe partnerët lokalë, ka nisur zbatimin e projektit “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”.
Fushata po zhvillohet kryesisht në zonat rurale me rrezik më të lartë nga zjarret gjatë sezonit veror. Zyrtarët policorë kanë zhvilluar takime me qytetarë dhe fermerë, duke shpërndarë këshilla për parandalimin e zjarreve dhe pasojat ligjore për personat që i shkaktojnë ato.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet parandaluese do të vazhdojnë gjatë gjithë verës, me qëllim mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit, ndërsa ndaj shkaktarëve të zjarreve do të merren masa ligjore.




