Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur për përvojën e saj në lidership, sfidat e udhëheqjes dhe rëndësinë e përfshirjes së grave dhe komuniteteve të margjinalizuara në vendimmarrje.
Gjatë një diskutimi në kuadër të “Prishtina International Summer University”, Jahjaga ka rikujtuar rrethanat politike kur u zgjodh presidente, në një periudhë të krizës së thellë institucionale.
Ajo tha se kandidatura e saj erdhi si një zgjidhje konsensuale nga elitat politike, në një kohë kur vendi rrezikonte zgjedhje të reja për shkak të pamundësisë për zgjedhjen e presidentit.
Jahjaga ka theksuar se gjatë karrierës së saj ka thyer disa barriera, duke u bërë fillimisht gjenerale në Policinë e Kosovës dhe më pas presidentja e parë femër e Republikës së Kosovës.
Ajo deklaroi se gjatë mandatit të saj prioritet ka qenë shteti dhe qytetarët, duke theksuar se një udhëheqës duhet të veprojë në shërbim të popullit dhe jo për interesa personale.
Jahjaga foli edhe për angazhimin e saj për përfshirjen e grave, komuniteteve minoritare dhe grupeve të margjinalizuara në proceset vendimmarrëse.
“E kam zgjeruar tryezën e vendimmarrjes dhe kam shtuar më shumë karrige për të gjithë ata që për shumë kohë kanë mbetur jashtë këtij procesi”, u shpreh ajo.




