Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke i cilësuar ato si të turpshme.
Paunoviq kishte deklaruar se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Kearns ka thënë se shumë njerëz që sot janë në të tridhjetat ende mbajnë kujtimet e dhimbshme të mizorive të kryera nga forcat e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.
“Përpjekjet për të arsyetuar apo lavdëruar këto krime nuk mund ta bëjnë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë”, ka shkruar Kearns në platformën X.
Reagimi i saj erdhi pasi Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe.




