Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të mbështesin projektet strategjike energjetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar furnizimin me gaz amerikan si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit.
Në reagimin e saj, AKB thekson se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë zhvillimeve rajonale në sektorin e energjisë dhe se duhet të trajtojë me seriozitet mundësinë e furnizimit me gaz amerikan.
Sipas AKB-së, vendi ka nevojë për ndërtimin e një infrastrukture kombëtare të gazit, përfshirë terminalin dhe rrjetin e gazsjellësve të lidhur me rrjetet rajonale dhe evropiane. Një investim i tillë, sipas tyre, do të siguronte furnizim më të qëndrueshëm, do të nxiste investimet, do të mbështeste industrinë vendore dhe do të rriste konkurrueshmërinë e ekonomisë.
AKB vlerëson se deklarimet e udhëheqësve shtetërorë duhet të jenë të qarta në mbështetje të investimeve strategjike amerikane në sektorin e energjisë, duke theksuar se Kosova ka nevojë për një strategji afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit.




