Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj deklaratave të operatorit ekonomik VITA, duke sqaruar se nuk ka premtuar publikimin e rezultateve të analizave më 13 korrik.
Sipas ministrisë, procedurat e kontrollit zyrtar të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përfshijnë jo vetëm analizat laboratorike, por edhe verifikime administrative, teknike dhe ligjore, të cilat duhet të përfundojnë para publikimit të raportit.
Ministria njofton se raporti përfundimtar pritet të dorëzohet dhe të bëhet publik jo më vonë se 27 korriku 2026, ndërsa nëse procedurat përfundojnë më herët, ai do të publikohet para këtij afati.
Po ashtu, theksohet se prioritet mbetet mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve, respektimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomikë.




