Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Gegë Lleshi, kanë pritur në Kosovë një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë takimit u trajtuan fusha si teknologjia, inovacioni, transformimi digjital, biznesi, turizmi, shëndetësia dhe investimet, me qëllim krijimin e partneriteteve të reja dhe tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë.
Kusari ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po zgjerohet edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Ajo ka prezantuar gjithashtu prioritetet për fuqizimin e prodhimit vendor, rritjen e eksporteve, zhvillimin e parqeve industriale e teknologjike dhe përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj.




