Lufta e Shteteve të Bashkuara në Iran ka arritur një kosto prej 37.5 miliardë dollarësh (rreth 32.9 miliardë euro), ka bërë të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sipas tij, kjo shumë është rritur me rreth 8 miliardë dollarë krahasuar me vlerësimin e fundit publik të autoriteteve amerikane.
Hegseth, gjatë një paraqitjeje para ligjvënësve në Kongresin amerikan, tha se në këtë shifër janë përfshirë edhe shpenzimet e parashikuara deri më 30 shtator, kur përfundon viti fiskal në SHBA.
Kjo ishte paraqitja e parë publike e sekretarit të Mbrojtjes para Kongresit që nga rifillimi i operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit në fillim të këtij muaji.
Ai u shoqërua nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, ndërsa të dy u pyetën për zhvillimet e fundit ushtarake dhe ndikimin financiar të operacioneve.
Sipas të dhënave të Pentagonit, shpenzimet përfshijnë operacionet ushtarake, angazhimin e trupave amerikane dhe mbështetjen logjistike të nevojshme për misionet në rajon.




