Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Kurti e ka cilësuar këtë vendim si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, duke theksuar se ai rrëzoi pretendimet juridike kundër shtetësisë së vendit dhe forcoi subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, opinioni i GJND-së dëshmoi se e drejta ndërkombëtare nuk synon ruajtjen e padrejtësive, por krijimin e hapësirës për paqe, liri dhe vetëvendosje demokratike.
Ai ka theksuar se mbrojtja e kësaj trashëgimie duhet të dëshmohet përmes forcimit të institucioneve, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të vendit.
Opinioni këshillues i GJND-së u shpall më 22 korrik 2010 nga kryetari i atëhershëm i kësaj gjykate, Hisashi Owada.




