Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se dyshimi i parë i institucioneve pas zbulimit të mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën gjatë luftës më 19 prill 1999.
Kurti ka bërë të ditur se ende nuk ka konfirmim zyrtar për identitetin e viktimave dhe se duhet pritur përfundimi i procedurave nga organet kompetente.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes po punojnë ekipet e Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it.
Ai theksoi se zbulimi i këtyre mbetjeve rikthen vëmendjen te familjet që vazhdojnë të presin për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre të zhdukur.
Kurti tha gjithashtu se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën për identifikimin e viktimave, ndërsa kërkoi që Serbia të hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës.




