Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit tashmë i takon Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën tha se ka numrat e nevojshëm.
Ajo tha se LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe nuk pranon të hyjë në qeverisje me LVV-në. Sipas saj, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, ndërsa më pas partitë mund të diskutojnë për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Lushaku-Sadriu theksoi se nuk ka arsye që procesi të shtyhet edhe më tej, duke kërkuar që institucionet të funksionalizohen sa më shpejt.
Ajo tha se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në diskutimet për presidentin, ndërsa paralajmëroi se partia do të përdorë edhe mjetet politike dhe juridike për të adresuar krizën institucionale./EO/




