Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se do ta mbështesë protestën e 12 shtatorit, të thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se organizata u bën thirrje qytetarëve, veteranëve dhe shoqatave të dala nga lufta që t’i bashkohen protestës.
Gucati bëri të ditur se OVL-UÇK-ja ka mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime për një peticion që kërkon lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se organizata do ta vazhdojë aktivitetin e saj në arenën ndërkombëtare dhe diplomatike.
Ndërkohë, Kryesia e OVL-UÇK-së vendosi t’ia heqë anëtarësinë Skender Llugiqit, pas deklaratave të tij në Kuvend dhe kritikave ndaj Ramush Haradinajt.
Gucati sqaroi se Llugiqi do të vazhdojë t’i gëzojë të drejtat si veteran, përfshirë pensionin, por nuk do të jetë më anëtar i OVL-UÇK-së./EO/




