Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
Në kuadër të marrëveshjes, Kryesia ka miratuar edhe nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
LDK ka thënë se marrëveshja synon stabilitetin institucional, shmangien e një krize të re politike dhe funksionimin e rregullt të institucioneve.
Partia e ka vlerësuar Sejdiun për përvojën e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar që gjatë votimit të respektojnë vendimin e organeve të partisë.




