Me nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shtuar inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset pranë shkollave.
Gjatë ditës së sotme janë kryer 18 inspektime në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Inspektorët kanë urdhëruar largimin e cigareve elektronike nga shitja, ndërsa për shkeljet e konstatuara janë shqiptuar tri gjoba dhe janë realizuar dy sekuestrime.
IQMT ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rajonet e Kosovës, me fokus në mbrojtjen e të miturve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit.




