KPK merr vendime për raportet, pensionimin dhe emërimet në sistemin prokurorial
Prishtinë, 2 shtator 2026 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 301-të, ku ka shqyrtuar disa çështje që lidhen me funksionimin dhe administrimin e sistemit prokurorial.
Gjatë mbledhjes, KPK-ja shqyrtoi raportimet vjetore për vitin 2025 të Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Këshilli miratoi raportin e Bajramit, ndërsa nuk e miratoi raportin e Isufajt.
Po ashtu, KPK-ja vendosi që propozimi për lirimin nga detyra të prokurores Laura Pula, për shkak të pensionimit, t’i përcillet Presidencës së Kosovës.
Në mbledhje u miratua edhe dorëheqja e Aleksandër Lumezit nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, si dhe raporti i vlerësimit të performancës për shtatë prokurorë.
Në fund, KPK-ja zgjodhi Bahri Hysenin në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit për mandat katërvjeçar, me mundësi rizgjedhjeje për një mandat tjetër.




