Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Llukar të Prishtinës, ku një veturë është përplasur me një motoçikletë.
Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e QKUK-së. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë.
Viktima është identifikuar si Laurent Krasniqi, ish-banor i Big Brother VIP Kosova.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:17. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, shoferi i veturës është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit janë duke vazhduar.




