Analisti politik Ilir Deda ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me krizë të thellë institucionale nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet Presidenti i vendit.
Duke komentuar zhvillimet aktuale politike, Deda tha se nuk sheh ende një zgjidhje për situatën dhe vlerësoi se dështimi për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit mund të krijojë një situatë të paprecedentë.
Sipas tij, Kushtetuta përcakton kufizime për ushtrimin e detyrës së Presidentit dhe, nëse afati përfundon pa zgjedhjen e një Presidenti të ri, vendi mund të përballet me vështirësi serioze institucionale.
Deda kritikoi edhe qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke thënë se, ndonëse ata nuk janë shkaku kryesor i krizës, vendimi i tyre mund të ndikojë në thellimin e saj.
Ai paralajmëroi se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kosova rrezikon të hyjë në një periudhë të kaosit institucional.




