Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka shprehur shqetësimin për shqiptarët e Luginës së Preshevës në lidhje me shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Kamberi ka thënë se kjo nismë ngjallë shqetësimin te shqiptaret e Luginës së Preshëves për shkak të përvojave historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën.
“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka dorëzuar edhe një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve ’80.




